Luftoi dhe u plagos 20 vjet më parë, që Kosova të lirohet nga okupimi serb.

Ish luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi që luftoi në Brigaden 121 Kumanova e që tash është Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, ka vendosur të largohet nga Kosova.

Për Ballkani.info, Qeriqi ka bërë të ditur detaje rreth largimit të tij nga Kosova.

Ai tha se jeta e vështirë financiare 20 vjet pas çlirimit të Kosovës, e ka shtyrë të mendojë të bëhet banor i Dortmundit në Gjermani.

“Kam vendos me shku për shkak të familjes, sepse këtu për momentin nuk po shoh që ka të ardhme për rininë dhe për familjen time” shtoi Qeriqi.

Qeriqi bëri të ditur se nëse arrin të shkojë në Gjermani, atje do të punësohet si mirëmbajtës i ndonjë kopshti pasi që sipas tij, pas lëndimeve të marra në luftë nuk mund të bëjë punë të rënda fizike.

“Kam aplikuar për marrjen e vizës por dyshojë se kjo punë mund të kryhet shpejt” tha ish luftëtar i UÇK-së.

Qeriqi e shumë të tjerë që luftuan për çlirimin e Kosovës janë bindur ta lënë shtetin 20 vjet pas luftës për shkak që sipas tyre shteti nuk po ofron as kushte të mira për jetesë./Ballkani.info