Hysen Gecaj

Ish-ushtaraku: Serbia asnjëherë nuk është tërhequr nga destabilizimi i Kosovës

Ish-ushtaraku Hysen Gecaj, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se Serbia nuk është tërhequr asnjëherë nga destabilizimi i Kosovës.

Lidhur me vendosjen e trupave ushtarake afër kufirit me Kosovën, Gecaj ka thënë se ka implikim të shtetit të Serbisë në këtë çështje.

“Kishte mjaft elemente tjera që flisnin se ka implikim të shtetit serb në këtë rast sepse për të përgatitur një numër kaq të madh të personelit me trajnime, me logjistikë, me pajisje luftarake të tilla çfarë i pamë në armatimin që është zënë nga Policia e Kosovës. Ky është një tregues mjaft serioz, përveç atyre pastaj argumenteve tjera të dokumentacionit të shkruar dhe incizimeve që janë zënë, flasin në vete mjaftë për një implikim të shtetit të Serbisë. Mirëpo përveç kësaj, në një kuptim tjetër, sigurisht institucionet që merren me sigurinë e kanë të qartë se Serbia këtë tendencë e ka pasë që nga mbarimi i luftës në Kosovë dhe asnjëherë nuk është tërhequr nga destabilizimi i Kosovës. Kështu që edhe përgatitjet që i ka bërë ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i bërë dhe për të futur atë armatim gradualisht brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Gecaj.