Ish trajneri i Romës gjen punë te Sampdoria

Në ditën që Marco Giampaolo dha intervistën e parë si trajner i Milanit, skuadra e Sampdorias prezantoi edhe pasuesin e tij.

Bëhet fjalë për ish trajnerin e Romës dhe Sassuolos, Eusebio Di Francesco, i cili tashmë do të ulet në stolin e skuadrës gjenoveze, për të çuar përpara punën e mirë të nisur nga Giampaolo.

Trajneri i ri i Sampdorias ka nënshkruar kontratë për 3 sezonet e ardhshme, një shenjë kjo e besimit të madh që kanë ndaj figurës së tij dhe e rëndësisë së projektit.

“Di Francesco është zgjedhja më e mirë, me objektivin për të vazhduar rritjen e skuadrës tonë. Do të vërë në dispozicion përgatitje, eksperiencë, lojë, dëshirë dhe mentalitet fituesi”, tha presidenti Ferrero në fjalën e prezantimit.