Ish-trajneri i Milanit pritet të emërohet në krye të stolit të Turqisë

Ish-sulmuesi i Italisë dhe Romës, Vincenzo Montella, pritet që të emërohet si trajneri më i ri i kombëtares së Turqisë, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare.

Sipas ekspertit Fabrizio Romano, Montella besohet se ka arritur një marrëveshje me Federatën Turke të Futbollit dhe së shpejti pritet që të bëhët edhe zyrtarizimi.

49-vjeçari i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube si Empoli, Sampdoria, Genoa, Roma dhe Fulham, është larguar së fundmi nga drejtimi i Adana Demirspor klub me të cilin fitoi 38 nga 76 ndeshje gjithsej sa ishte ne krye të ekipit.

Ai e filloi karrierën e tij si trajner fillimisht në sektorin e të rinjve tek Roma dhe më pas u promovua si trajner i ekipit të parë në vitin 2011.

Pas aventurës me Romën, ai më pas drejtoi skuadra si Catania, Sampdoria, Milan dhe Fiorentina.

Gjatë kësaj kohe ka punuar me emra të njohur të futbollit si Hakan Calhanoglu gjatë kohës sa ishte timonier i Milanit, dhe tani do të ribashkohen përsëri tek Turqia.