Ish sulmuesi i Real Madridit, Pedrag Mijatovic beson se Jose Mourinho mund të rikthehet të jetë trajneri i “Los Blancos” për shkak të lidhjeve të forta që ka me presidentin e klubit, Florentino Perez.

Portugezi u sharkua të martën në mesditë nga detyra e trajnerit të Manchester Unitedit pas humbjes 3-1 të fundjavës së kaluar në derbin kundër Liverpoolit, disfatë kjo që i la “Djajtë e Kuq” 19 pikë prapa rivalëve kryesor që aktualisht janë lider të Premier Leagues.

Mourinho në “Old Trafford” do të pasohet nga Ole Gunnar Solskjaer që u emërua në postin e trajnerit vetëm përkohësisht.

Destinacioni i rradhës i 55 vjeçarit ka ngjallur interesim të madh te opinioni sportiv, teksa më herët Mourinho ka drejtuar me sukses Porton, Interin dhe Real Madridin. Pikërisht “mbretërit” shihen si një alternativë e rëndësishme për të ardhmen e “The Special One”, teksa një ide të tillë e ka përsëritur edhe ish sulmuesi i kampionëve të Europës, Pedrag Mijatovic.

“Nuk e di në përqindje por mundësitë janë të mëdha që Mourinho të rikthehet te Real Madridi. E them këtë për shkak se presidenti Perez e dashuron Mourinhon dhe sa herë ka ndryshime të trajnerëve ai është në kontakt me të. Shikojeni me kujdes këtë mundësi”, tregoi Mijatovic.

Mourinho ka qenë trajner i Real Madridit gjatë viteve 2010-2013, ndërsa ishte shpallur kampion i La Ligas në sezonin e tij të dytë në “Santiago Bernabeu” me rekord pikësh, plot 100.