Ish sulmuesi i Milanit rikthehet në Serie A

Pas vetëm pak muajsh në kampionatin anglez me fanellën e Wolverhampton, Patrick Cutrone pritet të rikthehet sërish në kampionatin italian, këtë herë me fanellën e Fiorentinës, që vijon të këmbëngulë për transferimin e tij.

Ish sulmuesi i Milanit nuk është përshtatur aspak në Angli dhe ua ka bërë të qartë drejtuesve të klubit dëshirën për t’u rikthyer në atdheun e tij, ndërsa për momentin negociatat mes dy klubeve duken mjaft të avancuara.

Së fundi trajneri i Wolves ka vendosur të mos e grumbullojë sulmuesin për ndeshjen e radhës në FA Cup, ndërsa në konferencën për shtyp deklaroi se ky vendim lidhet edhe me zhvillimet e merkatos dhe se diçka mund të ndodhë gjatë janarit.

Sipas mediave angleze Fiorentina ka ofruar huazimin me detyrim blerjeje për shifrën e 15 milionë eurove, ndërsa Wolves kërkon 20 milionë euro për kartonin e Cutrones, por palët mund të gjejnë gjuhën për një shifër të ndërmjetme.