Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka thënë se gjatë periudhës së pandemisë në fillim dhe orës policore në këtë shtet, zëvendësshefi i misionit Prindon Sadriu nuk ka shkuar asnjë ditë në punë.

Këto deklarata, Dedaj i ka bërë në një prononcim për Demokracia.com, ku mes tjerash ka thënë se Sadriu nuk kishte marrë as banesë në Maqedoninë e Veriut, anise si diplomat obligohet një gjë e tillë.

“Gjatë asaj periudhe të pandemisë dhe orës policore në Maqedoninë e Veriut, z. Sadriu nuk ka ardhur fare në punë dhe as në Shkup. Për sa kohë unë kam qenë në krye të misionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Sadriu nuk ka marrë banesë dhe nuk ka fjetur asnjë natë më Shkup, ndonëse është obligim që diplomatët të qëndrojnë 24/7 dhe të banojnë në vendin ku shërbejnë, për të qenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimeve në vendin pritës. Unë kam qëndruar gjithnjë në Shkup, janë infektuar me Covid-19 dhe me gjithë familjen e kam kaluar virusin atje”, ka thënë ai.

Demokracia.com e ka pyetur Dedajn edhe për rimburësimin që Zotëriu i Parë e ka kërkuar nga shteti i Kosovës, për shpenzimet e trajtimit të virusit Covid-19.

“Nuk më kujtohet se a i kam nënshkruar gjë dhe këtë mirë e di MPJD, ngase çdo faturë aprovohet nga zyra e Sekretariatit dhe Financave të MPJD-së. Me dëshirë nuk isha marrë me z. Sadriu dhe bashkëshorten e tij, znj.Osmani, të cilët në mes të mandatit tim ligjor për ambicie familjare e nepotiste kanë bërë sulm brutal dhe më kanë shkarkuar kundërligjshëm dhe dhunshëm nga misioni i ambasadorit në Shkup”, ka thënë Dedaj.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur, pavarësisht insistimit të mediumit.

Ndryshe, Demokracia.com të hënën raportoi se gjatë kohës sa Sadriu ishte zëvendësshef i misionit në Shkup, por në detyrë edhe si Zotëri i Parë, ai kishte përfituar nga buxheti i shtetit për rimburësimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19.

Sadriut, ndonëse sipas faturave të dorëzuara shihet se shpenzimet i kishte bërë në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia kishte aprovuar kërkesën e 22 dhjetorit 2020 për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me Covid-19, më 19 shkurt 2021, pesë ditë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, ku Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo kishin fituar me mbi 50 përqind.