Ish shefi i diplomacisë kosovare thotë se Lajçak do të jetë ndërmjetës i BE-së për bisedimet Kosovë -Serbi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka paralajmëruar se shefi i ri i diplomacisë evropiane, Josep Borell, do të emërojë kryediplomatin sllovak, Mirsolav Lajçak, në pozitën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Selimi thotë se për një mundësi të tillë emërimi ka dëgjuar nga burime të ndryshme diplomatike, ndërkohë potencon se nuk i duket zgjedhje e mirë që një përfaqësues i një shteti që nuk e ka njohur Kosovën si shtet, të jetë emisar i BE-së për bisedimet për normalizim të raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Kam dëgjuar nga tri burime të ndryshme që Josep Borell është duke e konsideruar seriozisht emërimin e Miroslav Lajcak si emisar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ministri Lajcak është i pëlqyeshëm, por nuk mendoj që një i dërguar special duhet të vijë nga një shtet jo-njohës”, ka shkruar Selimi në profilin e tij në Twitter.

Se BE-ja duhet të emërojë një Përfaqësues Special për dialogun Prishtinë-Beograd e kishte thënë edhe deputeti i CDU-së, Peter Beyer, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë nga selia e LDK’së. /Ballkani.info/