Micheline Calmy-Rey

Ish-presidentja e Zvicrës: Ishim të parët që e morëm në konsideratë pavarësinë e Kosovës, situata ishte e ndërlikuar

Kosova ka nevojë për njohje, thotë ish-presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey e cila u kthye ta kujtojë njohjen e Kosovës nga shteti i saj.

Ajo kujtoi se qeveria zvicerane kishte shprehur mbështetjen për pavarësinë e Kosovës që në vitin 2005.

“Po, ne filluam shumë herët – disa vite pas luftës – ta trajtojmë çështjen e statusit të Kosovës. Zvicra ishte vendi i parë që mori në konsideratë pavarësinë”, tha Calmy-Rey në një intervistë për SWI.

“Situata dukej e ndërlikuar. Qëndrimi ndërkombëtar ishte se Kosova duhet së pari t’i përmbushë standardet ndërkombëtare sa i përket të drejtave të njeriut dhe qeverisjes Nga ana kosovare kjo dukej e vështirë; në atë kohë nuk kishte as qeveri e as shtet”, kujton ajo

Ish-presidentja helvetike thotë se në emër të Zvicrës, kishin përkrahur një qasje të re. “Së pari qartësimi i statusit të vendit dhe, kur një qeveri kosovare fillon të punojë, mund të gjykohej në bazë të përgjegjësisë së saj për të drejtat e njeriut”.

“Deklarata e Zvicrës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së shkoi në këtë drejtim. Pikërisht atëherë filluan diskutimet për pavarësinë e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Prandaj, Zvicra luajti një rol të rëndësishëm. Konfederata gjithashtu kishte interes për pavarësinë e Kosovës”, tha ajo.

“Pse”, u pyet Calmy-Rey.

“Për shkak të komunitetit të madh kosovar të pranishëm në vend. Pas Gjermanisë, Zvicra pret pjesën më të madhe të diasporës kosovare. Në raport me popullsinë, ky është një komunitet shumë më i madh në Zvicër sesa në Gjermani. Ishte në interesin tonë që tensionet në Ballkanin Perëndimor të zbuten”, tha ajo.

E pyetur nëse u befasua nga shpallja e pavarësisë në dimrin e vitit 2008, ajo kujtoi një ngjarje nga 17 shkurti.

“Më 17 shkurt isha e ftuar në misionin katolik shqiptar në Wil. Unë duhej të flisja në ceremoni. Në stacion prifti më takoi me lot. ‘Zonjë, është një mrekulli që na lejuan të jetojmë”, më tha ai. Pavarësia e Kosovës sapo ishte shpallur. Ai u pushtua nga emocionet dhe masa doli të ishte shumë prekëse. Të gjithë kosovarët e Wilit ishin të pranishëm dhe shumë të lumtur”, tha Calmy-Rey.

“Më pas, ishte e vështirë t’ia shpjegoja Këshillit Federal se nuk e kisha organizuar vizitën time në misionin shqiptar që të përkonte me shpalljen e pavarësisë. Por si mund ta kisha parashikuar këtë moment historik?”, tha ajo,

Mes shpalljes së pavarësisë dhe njohjes nga Zvicra kishte 10 ditë, në të cilat ajo kujton diskutimet e brendshme në shtetin helvetik.

“Na duhej marrëveshja e Komitetit të Politikës së Jashtme dhe, natyrisht, e Këshillit Federal. Përfundimisht, ne e njohëm pavarësinë e Kosovës pothuajse në të njëjtën kohë me Bashkimin Europian. Meqenëse jo të gjitha vendet e OKB-së ishin të gatshme ta bënin këtë, Kosova u detyrua ta bënte një deklaratë të njëanshme të pavarësisë”, tha ajo.

“Shumë mendojnë ndryshe, por Zvicra nuk ishte vendi i parë që njohu pavarësinë. Nuk është e vërtetë. Ne ishim të parët që donim ta diskutonim. Më pas, me diplomacinë zvicerane, ne ndihmuam për ta bërë të mundur. Ka një lidhje shumë të fortë mes Kosovës dhe Zvicrës. Ka nga ata që flasin për vendin si kantonin e 27-të të Zvicrës”, shtoi Calmy-Rey.

E pyetur nëse Zvicra ka marrëdhënie të njëjtë me Kosovën dhe kosovarët, ajo tha se “nuk mund të flasë për qeverinë aktuale zvicerane”.

“Në Kosovë, sidomos në verë, kudo shihni targa zvicerane – dhe diaspora kosovare bën shumë për vendin. Por nuk mund të flas për qeverinë aktuale zvicerane. E di që jemi të pranishëm në Kosovë për të ofruar ndihmë, por nuk e di përmasat dhe zonat”.

“Megjithatë, besoj se Kosova është në rrugën e duhur”, tha ajo.

Para një viti, ish-presidentja zvicerane, Micheline Calmy-Rey u nderua në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani ia kishte dorëzuar asaj medaljen e “Urdhri i Pavarësisë”.