Ish-pjesëtari i UÇK-së kërkon nga Qeveria të mbrojë qytetarët që janë në burgje

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Shatri, ka thënë se është shqetësues ajo që ka ndodhur në Zubin Potok, pasi disa alpinistë të “Kosovo Mountain Club” ishin sulmuar nga disa persona të panjohur.

Ai në Sytë Shtatë ka deklaruar se provokimet e tilla janë duke i pasivizuar kosovarët drejtë vizimit të kësaj pjesë të vendit.

“Kjo është neglizhente, është shumë shqetësuese nëse Policia e Kosovës e lejon që në territorin e Leposaviqit të bëhet kontrabandë dhe ajo pjesë të mbahet nën kontroll nga disa serbë që kanë armë pa i kontrollua askush. Kjo është shqetësuese, unë dyshoj se aty po bëhet një tregti e madhe”.

“Kërkoj nga Xhelal Sveçla që selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme ta shpërngul në veri. Nëse ka frikë le t’ia ofrojë atë dikujt tjetër, ka kuadro të tjera në Lëvizjen Vetëvendosje që munden ta bëjnë selinë në Leposaviç apo në Zubin Potok. Duhet të ketë reagime më të mëdha si dhe duhet që patrulla të policisë të shpërngulen dhe të rrinë atje më shumë”.

Shatri ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të mbrojë të gjithë qytetarët e vendit që janë në burgje.

“Qeveria duhet të përgjigjet për të gjithë sidomos për ata që ndodhen në burg dhe që kanë qenë në luftë, e kemi Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin dhe liderë e tjerë politikë që ishin në luftë. Me çdo kusht duhet të dëgjohet zëri i Qeverisë sonë me aq sa kanë mundësi”, ka thënë Shatri.