Ish-ministri

Ish-ministri Mehaj për porositjen e “Javelin”: E vetmja mënyrë për t’u kuptuar me Serbinë është ekuilibri ushtarak

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se pas blerjeve të raketave anti-tank “Javelin”, Kosova duhet të punojë edhe më shumë dhe të flasë më pak.

Sa për sasinë e porositur nga institucionet e mbrojtjes, Mehaj theksoi se “disa gjëra janë që shteti nuk duhet të zbulojë informacione për blerje, kjo është e rëndësishme për sigurinë kombëtare”.

Ai për KlanKosova.tv ka treguar se edhe në kohën sa ai ka drejtuar ministrinë janë blerë armë nga Amerika dhe vendet tjera mike, në mënyrë që të mbrohet vendi.

“Ia kemi borxh dëshmorëve, veteranëve e invalidëve tanë që ushtria jonë të bëhet e fortë dhe të mbrojmë çdo milimetër të vendit tonë”, u shpreh Mehaj.

Më tej, Mehaj tha se Kosova ka nevojë për armë për të mbrojtur vendin dhe për të krijuar paqe.

“E vetmja mënyrë për t’u kuptuar me Serbinë është një ekuilibër midis Kosovës dhe Serbisë kur bëhet fjalë për ushtrinë ose që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur – mundësisht para Suedisë nëse është e mundur”, u shpreh Mehaj.

BONUS VIDEO: Kosova  po vazhdon të armatoset fuqishëm, pas dronëve nga Turqia  në radhë janë anti-tankët më të fuqishëm në botë, Javelinët amerikanë