Ish mesfushori i Manchester Unitedit, Darren Fletcher është i shqetësuar për shkak se mendon që “Djajtë e Kuq” nuk do të jenë skuadër kompetitive për dy sezone, pas emërimit trajner të përkohëshëm të ish lojtarit, Ole Gunnar Solskjaer.

Klubi nga “Old Trafford” shkarkoi nga detyra e trajnerit Jose Mourinhon, të martën në mesditë, ndërsa sot konfirmoi pasuesin e tij të përkohëshëm, e që është një fytyrë e njohur për 20 herë kampionët e Anglisë, ish sulmuesin norvegjez, Solskjaer.

Por, Fletcher që fitoi Premier Leaguen në sezonin 2006-2007 së bashku me Solskjaerin, beson se Unitedi duhej të kalonte menjëherë në një trajner të përhershëm.

“Manchester Unitedi nuk duhet të jetë në këtë situatë asnjëherë. Ata pothuajse po e hedhin poshtë këtë sezon dhe atë të ardhshmin për shkak se nëse e sjellin një trajner të ri gjatë verës, nuk do të ketë kohën e duhur për të transferuar lojtarë të ri. Ekzisiton shqetësimi se mund të kalojnë dy sezone tjera të rindërtimit”, tha Fletcher për BBC Sport.

Solskjaer do të debutojë të shtunën me Manchester Unitedin në ndeshjen që zhvillohet në Uells kundër ish skuadrës së tij, Cardiff City, të cilët nuk arriti t’i shpëtojë nga rënia në Championship në edicionin 2013-2014.