Ish-menaxheri i Qendrës së Karantinës: Agon Musliu nuk kishte shfaqur asnjë element refuzues para vdekjes

Ish-menaxheri i Qendrës së Studentëve që shërbeu si karantinë në kohën e pandemisë, Valdet Hasani ka thënë se Agon Musliu i cili dyshohet se kishte bërë vetëvrasje gjatë kohës sa kishte qenë i karantiuar, nuk kishte bërë ndonjë ankesë.

“Agon Musliu nuk ka shfaqur ndonjë element refuzues para vullnetarëve, nuk kemi pas vërejtje se ai person ka pasur elemente. Nuk kemi pasur asnjë dëshmi. Po të kishte ankesa edhe vetë i ndjeri do t’i kishte thënë dikujt prej vullnetarëve apo neve dhe do ta kishim liruar si të tjerët. Po të na kishte ardhur ndonjë ankesë do të ishim marrë me të, pasi ne jemi marrë me çdo ankesë qoftë edhe veç një mesazh nëse na ka ardhur e kemi marrë parasysh. Edhe çdoherë kur dikush ka bërtit apo është ankuar ne kemi dërguar njerëzit përgjegjës”, ka thënë ai.

Hasani tha se numri total i personave që kanë qenë të karantinuar në Qendrën e Studentëve është 1537 ndërsa më pak se 10 kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.