Ish-mbrojtësi i Liverpoolit: Kam jetuar në rrugë dhe kam vjedhur për të ngrënë

Një rini e vështirë për futbollistin aktual të Crystal Palace.

Histori prekëse të cilat pranohen nga vetë futbollistët, të cilët madje tregojnë se këto situata i kanë ndihmuar që të ecin në jetë, janë gjithnjë mjaft interesante dhe motivuese.

Rasti më i fundit është i futbollistit, Mamadou Sakho i cili ka luajtur për skuadra të mëdha si Paris Saint-Germain dhe Liverpool, ndërsa aktualisht është pjesë e Crystal Palace.

“Kam pasur një jetë mjaft të vështirë kur isha i ri, por këto momente të vështira më ndihmuan të rritem dhe të jem njeriu që jam sot”, ka thënë fillimisht Sakho.

“Askush nuk mund të më thotë se nuk e di se si është të qëndrosh pa ngrënë ose askush nuk mund të më tregojë se si është të qëndrosh në të ftohtë, të flesh jashtë, të lypësh disa para ose të vjedh vetëm për të ngrënë pas shumë ditësh, sepse e tillë ishte jeta ime kur isha i ri”. “Ishte jeta ime reale. Kjo gjë ndihmoi të kisha një mentalitet të fortë. Kjo është arsyeja pse unë gjithmonë i them vetes, që nuk duhet të dorëzohem”, ka shpjeguar ai.