Uli Hoeness ka thënë gjithmonë se Bayerni është një familje e madhe. Presidenti i bavarezëve, kampion bote me Gjermaninë në 1974, ishte në krye të klubit nga viti 2009 deri në 2014. Pasi përfundoi në burg për evazion fiskal ai dha dorëheqjen, por gjithsesi u rikthye të marrë postin e tij pas 21 muajsh, kur mbaroi dhe dënimi i tij.

Tani, si në të gjithë familjet, vitet kalojnë dhe fëmijët rriten. Siç raporton “Bild”, tek skuadra më e titulluar gjermane do të ketë një ndryshim brezash, dhe në vend të Hoeness, pritet të jetë një tjetër i madh.

Bëhet fjalë për as më pak e as më shumë, por Oliver Kahn. Ish futbollisti i Bayernit dhe Gjermanisë konsiderohet si favoriti kryesor për të marrë presidencën e klubit, ku ka luajtur si portier nga viti 1994 deri në tërheqjen e tij, në vitin 2008.

Ish kapiten, lider dhe me një sukses të jashtëzakonshëm, Kahn do të ishte një zgjedhje perfekte, dhe gjithashtu duke respektuar traditën e ekipit, me ish lojtarët që zgjedhen për të drejtuar klubin.
Nuk është rastësi, që president nderi është Kaiseri, Franz Beckenbauer, dhe një nga drejtuesit kryesorë është Karl-Heinz Rummenigge.

Për momentin është vetëm një hipotezë, të paktën deri më datë 30 nëntor, ditë kur zhvillohet dhe asambleja e ortakëve të Bayern, ku dhe Hoeness pritet të zbardhë të ardhmen e tij.

Përveç mbështetjes së Hoeness, Kahn do ketë mbështetjen e një tjetër legjende të bavarezëve, Lothar Matthäus.

Pavarësisht se ish mmesfushori, i cili ka fituar dhe Topin e Artë në 1990, nuk ka një rol zyrtar në klub, ka peshë me fjalët e tij.

Zgjedhja e Oliver Kahn do të ishte e mirëpritur nga shumë tifozë të Bayernit kudo në botë, por gjithsesi për momentin ngelet një hipotezë.