Ish-kryetari i Parteshit ironizon me Vuçiqin: Ku duhet t’i dorëzojmë armët ilegale?

Nenad Cvetkoviq ish kryetar i komunës së Parteshit me ironi ka pyetur presidentin serb Aleksnadar Vuçiqin ku t’i dorëzojnë armët ilegale serbet e Kosovës, në Prishtinë apo Beograd.

“President, po iu pyes i shqetësuar. Ne që jetojmë në Kosovë, ku t’i dorëzojmë armët, në Beograd apo në Prishtinë. Me qëllim të mirë po iu pyes” ka shkruar në FB Cvetkoviq.

Ish kryetari e ka pyetur Vuçiqin nëse i kujtohet kush është Cvetkoviq.

“Tua rikujtoj, e mban mend kush jam unë, Nenad Cvetkoviq që e kishte ndërtuar spitalin në Pasjan, të cilin ju e keni hapur dhe keni gënjyer se kinse ju e keni ndërtuar” ka shtuar Cvetkoviq.

Ndryshe, presidenti serb ka kërkuar nga qytetarët serb të Serbisë që ti dorëzojnë armët ilegale. Kjo vjen pas një serie të vrasjeve masive që ndodhi javën e kaluar në Serbi, ku një i ri vrau disa nxënës dhe një mësimdhënës në një shkollën fillore, ndërsa menjëherë pas këtij rasti edhe një i ri tjetër shtiu me armë automatike duke lënë të vrarë disa qytetarë.