Ish-kryetari i Kamenicës tregon si i shkuan xhandarmëria e Serbisë para shtëpisë së tij

Dje në mbrëmje është publikuar një video ku shihen pjesëtarë të ushtrisë serbe që janë futur brenda territorit të Kosovës, më konkretisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Ish-kryetari i kësaj komune, Shaip Surdulli, ka bërë të ditur se i ka parë ushtarët serbë duke ecur në lagjen ku jeton dhe se ka siguruar fotografi dhe video nga vendi i ngjarjes.

“Unë jetoj këtu edhe i pash një kolonë të ushtarëve duke ra nëpër rrugën e lagjes sonë në Karaçevë dhe isha pak larg tyre. Mirëpo janë të instaluara kamerat e shtëpisë dhe më vonë i kam nxjerrë disa fotografi ku veç i kemi postuar në Facebook”.

“Ata janë nisur prej Serbisë kanë kaluar rreth restorantit ‘Oxygen’; mandej kanë bërë një rrugëtim nëpër mal dhe kanë kaluar në rrugën e lagjes sonë. Nuk është kjo herë e parë, por më herët nuk kemi arritur t’i sigurojmë pamjet dhe çdoherë kanë qenë reagimet tona që mos të ndodhin këto veprime të ushtrisë serbe”.

“Herëve tjera që i kemi parë, kemi reaguar dhe kanë ardhur pjesëtarët e KFOR-it dhe na kanë pyetur se a është e vërtetë? Ne ua kemi përshkruar, mirëpo nuk kemi pasur dëshmi. Ndërsa kësaj here ka pasur edhe foto edhe video, ata do t’i njoftojmë dhe do t’ua prezantojnë fotot dhe videot”.

Surdullit ka theksuar se një lagje e tërë është shpërngulur sepse qytetarët janë të frikësuar nga ushtria serbe.

“Në Karaçevë janë rreth 2-3 mijë banorë, megjithëse vazhdimisht po shpërngulen, ata po blejnë prona në Gjilan dhe në Prishtinë. Para disa vitesh, ka pasur më shumë banorë, por po shihet se qytetarët nuk po e shohin perspektiven të jetojnë këtu”.

“Hyrjet e ushtrisë serbe me të vërtetë sjellin shqetësim dhe pasiguri për të jetuar në këtë vend”.

“Kërkesa jonë është që sa më shpejt të vijnë këtu krerët e Kosovës, të vijnë në këtë pjesë dhe ta vizitojnë këtë popullatë dhe të premtojnë se do të ketë përkujdesje më të madhe dhe se më nuk do të këtë hyrje të ushtrisë serbe”.