Ish-drejtori i Milanit: Patëm ujdi me Ronaldon, na tha se donte ta fitonte Europa Ligën

Ish drejtori sportiv i Milanit, Massimiliano Mirabelli, e ka ripërsëritur se kishte arritur një marrëveshje me Cristiano Ronaldon dhe Pierre-Emerick Aubameyangun.

Mirabelli foli për përvojën e tij në rolin e drejtorit sportiv të Milani dhe sesi ishte pranë t’i sjellë në “San Siro” dyshen Ronaldo – Aubameyang.

Megjithatë, Cristiano përfundimisht iu bashkua rivalit Juventus, ndërsa Aubameyang kaloi te Arsenali.

“Mund ta konfirmoj atë që e kam thënë, se kemi pasur mundësi ta blinim Cristiano Ronaldon. Nuk jemi tallur me veten: mund t’ju siguroj se nëse pronarët aktual të Milanit do të ishin në udhëheqësi edhe atëherë, Cristiano Ronaldo do ta vishte fanellën e Milanit në këtë moment. Mund t’jua garantoj këtë matematikisht”, tha Mirabelli.

“Ronaldo na tha se nuk do t’i mungonte të mos luajë në Ligën e Kampionëve. Ai tha: ‘Kurrë s’e kam fituar Europa Ligën, prandaj do ta fitoj edhe atë’”, shtoi ai.