Ish-deputeti Berisha thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të krijojë pasiguri juridike për zgjedhjet

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, ka thënë se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet, por ai ka shprehur shqetësimin se ky vendim mund të krijojë pasiguri juridike për proceset zgjedhore në të ardhmen.

Berisha është deklaruar se nuk e ka të qartë për çfarë meritash bëhet fjalë, kur vendimi i Gjykatës Kushtuese flet për meritat.

Berisha, deklaroi se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është në favor të Listës Serbe.

“Ky vendimi na krijojnë pasiguri juridike, pasiguri zgjedhore që ne të jemi të sigurt[për të garuar] për faktin që e njëjta gjë do të përsëritet dhe ky vendim është në favor të Listës Serbe”, ka thënë Berisha, për RTV Dukagjini.

Berisha u shpreh, se me vendimin e fundit, komunitetet pakicë nuk do ta kenë përfaqësimin e duhur në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme  kërkesën e Albert Kinollit dhe Veton Berishës, duke konstatuar se Gjykata Supreme nuk ua ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve Parlamentare të 14 shkurtit 2021.

​​Kushtetuesja rrëzon pretendimet e Berishës dhe Kinollit, nuk rrezikohet mandati i Presidentes

Kinolli e Berisha kishin pretenduar se kundërkandidatët e tyre nga komunitet kishin marrë më shumë vota sesa që kishte banorë të këtyre komuniteteve në vendbanime respektive.

“Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”, thuhet në aktgjykim të Kushtetueses, të publikuar të enjten.

Siç njoftohet, gjykata ka vendosur që kërkesën e parashtruar nga PREBK, të deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe kërkesën e parashtruar nga PLE, të deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.