Ish-basketbollisti i NBA-së, Gordan Giricek vjen në Kosovë

Ish-basketbollisti i famshëm Gordan Giricek do të vjen në Kosovë. Giricek është Ambasador i JR NBA, ndërsa do të jetë i pranishëm në ceremoninë e Draft Shortit për JR NBA Kosova, që do të mbahet më 20 mars (e hënë) nga ora 17:30 në Hotel “Four Points by Sheraton Prishtina”.

Ai do të vjen në vizitë zyrtare në Kosovë së bashku me Erik Brucker, Menaxher i Lartë për Operacionet e NBA-së, ku gjithashtu do të kenë takime me drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Gordan Giricek është basketbollist i njohur, ku për gjashtë vite ka luajtur në Ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA. Ai e filloi karrierën në Cibona për të vazhduar në CSKA Moskow, ndërsa më 2002 kaloi në NBA te skuadra e Memphis Grizzlies, për të vazhduar më pas në Orlando Magic, Utah Jazz, Philadelphia 76ers, Phoenix Suns, kurse në fund luajti në Fenerbahce dhe karrierën e përfundoi aty ku e nisi te Cibona Zagreb.

Giricek është tetë herë kampion në Kroaci, një herë kampion në Turqi, ka fituar katër Kupa të Kroacisë dhe një Kupë të Turqisë.

Më 20 Mars është drafti i JR NBA Kosovës, projekt ky që është në vitin e dytë, ndërsa filloi vitin e kaluar ku 30 shkolla fillore ndahen në dy Konferenca apo gjashtë Divizione, ku në fund zhvillohet “Final Four” dhe shpallet kampioni i kësaj gare.