Zharko Koraq

Ish anëtari i qeverisë së Gjingjiqit: Vuçiq e dinte për aktin terrorist në Kosovë, ai financohet direkt nga Kina

Ish-anëtari i qeverisë së kryeministrit të vrarë të Serbisë, Zoran Gjingjiq dhe profesori universitar nga Beogradi, Zharko Koraq, ishin mysafirë në Newsroom të televizionit N1 të Zagrebit, ku komentoi zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Koraq ka folur për faktin se fushata parazgjedhore po bëhet më e pistë, se Aleksandar Vuçiq do të humbasë pushtetin në Beograd, si dhe se kush e financon atë…

Koraq tha se Vuçiq është i shqetësuar.

“Ai po shkon në zgjedhje në një mbrojtje të madhe politike. Ai bëri një gabim të madh në politikën e jashtme, sepse gjëja e fundit që dëshiron BE-ja është lufta në Kosovë. Ai e dinte se çfarë po ndodhte atje dhe e dinte për aktin terrorist. Ai po përpiqet t’i fitojë këto zgjedhje dhe t’i dërgojë një mesazh Perëndimit – ju mund të mos më pëlqeni, por unë jam i vetmi me të cilin mund të negocioni”, tha Koraq, transmeton Ballkani.info.

Paraqitja e Koraqit u transmetua edhe nga disa media rajonale.

“E di kush e financon Vuçiqin”

Jutarnji List e Kroacisë në tekstin “Unë e di kush e financon Vuçiqin, dhe nuk janë rusët! Beogradi do të humbasë, dhe video incizimi seksi tregon se sa i shqetësuar është ai”, shkruan ndër të tjera se Koraq tregon se cili shtet e “financon Aleksandar Vuçiqin dhe si e jeton fushatën zgjedhore”.

“Ajo që po bën (Presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq është në kundërshtim me Kushtetutën, ai nuk është më kryetar i partisë së tij, kështu që shtrohet pyetja se pse ai bën fushatë për një parti, kryetar i së cilës nuk është. Ai po bën diçka që nuk e ka bërë më parë, po shpërndan para, çdo gjimnazist ka  më pak se 100 euro, pensionistët 170 euro, dhe shumë pensione janë më pak se aq, kurse rastet sociale marrin 90 euro. Askush nuk e di se si ai nuk është më kryeministër”, ka thënë Koraq, transmeton Jutarnji.

Portali kroat Index ndër të tjera transmeton deklaratën e Koraqit se Vuçiq financohet nga Kina.

“E keni parë që po punonte në autostradë, por nuk na tha kurrë se sa i detyrohemi Kinës për këtë. Sepse të gjitha këto janë marrëveshje me Kinën që bëhen pa konkurrencë sepse ne nuk jemi në BE, kështu që nuk kemi pse të kemi konkurrencë. Dhe së fundmi ai ishte në Kinë dhe mburrej se kishte marrë kredi të mëdha. Prandaj, Kina po e financon”, tha Koraq, transmeton Index.

Koraq shtoi, shkruan Index, se askush në Serbi “pothuajse as që e di se kemi një nga inflacionet më të mëdha në Evropë, kemi inflacion më të lartë se Ukraina, e cila është në luftë”.

Slobodna Bosna shkruan se Koraq i tha N1 se Vuçiq me siguri do të humbasë Beogradin.

“Ai bën gjithçka që mundet, shpërndan para, shan kritikët në mënyrën më primitive, është i furishëm nga frika se mund të humbasë këto zgjedhje. Pse e lidhi jetën me qeverinë, unë si psikolog nuk e kam të qartë”, ka thënë Koraq. /Ballkani.info/