Ish-ambasadori Roberts: Negociatorët më thanë që deputetja britanike po i krijon bindje të gabuara Kurtit

Ish-ambasadori britanik në Jugosllavi, Sir Ivor Roberts, e ka shkruar një shkrim mjaft optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje historike mes Kosovës dhe Serbisë në Telegraph derisa ka folur edhe për deputeten britanike Alicia Kearns. Çka thotë ai?

Roberts e ka titulluar shkrimin e tij si vijon: “Kosova dhe Serbia janë afër t’i japin një goditje përundimtare Putinit”.

Ai përdor aty një alegori mjaft interesante: zhurmën e kohëpaskohëshme të publikut gjatë finales së Wimbledonit që shpërqendronte ty tenistët – Novak Gjokoviq dhe Carlos Alcaraz. Ky shpërqendrim sipas tij po ndodh edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke e shpërqendruar Kurtin, Vuçiqin dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar.

Rusia

Ish-ambasadori Roberts fajin kryesor për këto shpërqendrime ia lë Rusisë.

“Rusia nuk dëshiron që të ketë një marrëveshje për Kosovën. Roli i vetëm i Rusisë në rajon është të jetë përkrahëse e refuzuesve serbë të së djathtës ekstreme që thonë se duan të luftojnë deri në fund për të mbrojtur Serbinë në Kosovë”, shkruan z. Roberts.

Dhe sipas tij, Rusia s’e bën një gjë të tillë sepse i bën shumë për Serbinë, por sepse ky është “një front i rëndësishëm në konfrontimin e saj me Perëndimin, konfrontim të cilin së fundi po e humbet.”

Roberts shprehet tutje që sapo të arrihet marrëveshja, influenca ruse në rajon “përfundon dhe statusi i saj global zvogëlohet.”

E ardhmja

Megjithëse është optimist për arritjen e marrëveshjes, z. Roberts shprehet se Rusia do të përpiqet të krijojë “provokime dhe incidente” për ta bërë paqen edhe më pak të mundshme.

Në vazhdimësi edhe të tjerë komentues e kanë thënë se çfarëdo tensioni në veri në këto kohë i shkon në favor Rusisë.

Më thanë negociatorët

Roberts në këtë shkrim ka ndarë edhe disa përshtypje të disa negociatorëve të lartë.

Sipas tij, deputetja britanike Alicia Kearns po i krijon bindje të gabuara kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Observimet e Rebecca Westit për tendencën angleze që të marrë anë në Ballkanin Perëndimor ende janë të vërteta dhe nuk duket të ketë një shembull më të mirë për këtë gjë se Alicia Kearns, kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme. Ajo natyrisht ka të drejtën të ketë opinionet e saj – por është çështje tjetër nëse pikëpamjet e saj partizane, si dikush që ka pozicion të rëndësishëm, e shtyjnë Kurtin të besojë se ai ka mbështetje ndërkombëtare për rezistencën ndaj kompromiseve ose të pres një marrëveshje më të mirë – dhe negociatorë të nivelit të lartë më kanë thënë se ky është saktësisht efekti që intervenimet e saj po e kanë”, shkruan z. Roberts në opinionin e tij.

Kearns – për ata që nuk e dinë – e ka mbështetur vazhdimisht kryeministrin Kurti në lidhje me veprimet e tij në veri të vendit. Ajo bëri bujë para disa jave kur pretendoi që Serbia kishte futur armë përmes autoambulancave nëpër kisha. KFOR-i e kishte mohuar këtë pretendim.

Roberts vazhdon me shkrimin e tij duke u shprehur optimist se diplomatët dhe negociatorët do të kenë të gjitha faktet dhe informacionet për të ndihmuar edhe Vuçiqin edhe Kurtin për të arritur një marrëveshje që “do ta shishnin para popujve të tyre”.

“Derisa shërbejnë për meçin – dhe çmimi këtu është masiv – heshtja nga audienca do të ishte e përshtatshme”.