Ish-ambasadori amerikan: Marrëveshja e shpejtë Kosovë-Serbi do të ishte e dështuar

Ish-ambasadori amerikan që ka shërbyer në Beograd, Cameron Munter, ka thënë se çfarëdo zgjidhje e shpejtë për problemin Kosovë-Serbi do të ishte marrëveshje e keqe.

Munter shtoi se problemi mes Kosovës dhe Serbisë është serioz dhe kompleks.

“Problemi mes Kosovës dhe Serbisë është kompleks dhe serioz. Duhet mençuri për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”, ka thënë Munter për Tanjug.

Sipas Munter kjo marrëveshje do të ishte e dështuar, pavarësisht faktit se kush e propozon atë.

“Çfarëdo iniciativë që është konceptuar me ngut dhe pa koordinim, pavarësisht se kush e propozon atë, nuk zgjidh problemet e thella me të cilat përballen Kosova dhe Serbia”, ka thënë Munter.

Ndërsa për të dërguarin e posaçëm të BE-së, për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, Munter ka thënë se është personi i duhur.

“Lajçak mund ta udhëheqë këtë proces, nëse ata janë të gatshëm të lënë mënjanë rivalitetet politike afatshkurtra dhe të kërkojnë paqe dhe prosperitet afatgjatë për qytetarët që ata përfaqësojnë,” beson Munter.

Munter gjithashtu ka thënë se është i nevojshëm bashkëpunimi në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Ish-diplomati amerikan që ka mbajtur pozita të larta përgjatë administratës së Clintonit dhe Bushit, thotë se pa mbështetjen e Evropës marrëveshja nuk mund të jetë e qëndrueshme.

“Shpresoj që administrata aktuale në Uashington do të vazhdojë bashkëpunimin tradicional me miqtë evropian në mënyrë që të sigurojë një të ardhme të ndritshme për vendet e Ballkanit”, ka thënë Munter.