Isco për Ronaldon: Nuk do të qajmë për dikë që nuk dëshironte të qëndrojë

Mesfushori spanjoll i Real Madridit, Isco, ka thënë se mediat nuk duhet ta përmendin më Cristiano Ronaldon në konferencat për shtyp, pasi që ata nuk do të qajnë për një lojtar të tillë, i cili dëshiroi të largohet.

Cristiano Ronaldo u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës, kur iu bashkua skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro. Ai u largua pasi që triumfoi përsëri në Ligën e Kampionëve për të tretën herë radhazi me “Los Blancos”, transmeton Gazeta Express.

Drejtuesit e Real Madridit nuk e panë të nevojshme ta transferojnë një lojtar për ta zëvendësuar Ronaldon, i cili kishte arritur t’i shënonte 450 gola në 438 ndeshje për ish-klubin e tij. Trajneri Julen Lopetegui dhe presidenti Florentino Perez insistuan se kanë besim në lojtarët që kanë në skuadër.

Megjithatë, ky vendim po rezulton të jetë i gabuar pasi që Real Madridi është duke e pasur mjaft të vështirë të shënojë gola këtë sezon. Ata thyen rekordin për më së shumti minuta të kaluar pa shënuar asnjë gol.

Për më tepër, ata nuk kanë arritur të sigurojnë fitore në pesë ndeshjet e fundit, në katër prej të cilave kanë pësuar humbje. Gjatë këtyre pesë ndeshjeve, Real Madridi arriti ta shënojë vetëm një gol, ndërsa pranoi gjithsej shtatë.

“Kemi qenë duke folur për këtë gjë gjatë gjithë sezonit. Nuk ka kuptim të flasim për dikë që nuk është këtu. Më mundon Bale dhe Carvajal kur janë të lënduar. Ne kemi zgjidhjet brenda skuadrës për të shënuar gola. Nuk do të qajmë për dikë që dëshiroi të largohet”.