Isco ka qëndruar i fshehur gjatë gjithë verës, në përpjekje për të qëndruar te Real Madridi.

E ardhmja e mesfushorit të Spanjës nuk ishte e sigurt në “Santiago Bernabeu”, pasi nuk dëshirohej në klub gjatë sezonit të fundit, por me rikthimin e Zinedine Zidanit gjërat kishin nisur të ndryshonin.

Isco i kishte informuar drejtuesit e Madridit në fund të sezonit të kaluar se nuk ishte i gatshëm të largohej nga klubi në asnjë rrethanë dhe madje shkoi edhe më larg me veprimet e tij për ta siguruar qëndrimin në kryeqytetin spanjoll.

Sipas MARCA, Isco e kishte mbajtur të fikur telefonin gjatë gjithë verës dhe se do ta mbajë të tillë derisa të mbyllet afati kalimtar i verës më 2 shtator.

Disa klube kanë shfaqur interesim për të, por spanjolli ia kishte bërë me dije klubit me kohë se do të refuzojë të dijë për çfarëdo oferte nga klubet e tjera.

Zidane e pëlqen shumë Iscon dhe thuhet se e ka siguruar mesfushorin se do t’i japë atij rol të rëndësishëm në fushë këtë sezon.

27-vjeçari i zhvilloi vetëm tri ndeshje të plota sezonin e kaluar dhe pritet të luajë më rregullisht këtë sezon, falë kthimit të Zidanit në stol.

loading…