Isa Mustafa thërret mbledhje me kryetarë të degëve, ish-deputeti ia zë për të madhe: Mos na lëndo edhe më tepër

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot një mbledhje me kryetarë të degëve të partisë.

Mbledhjen e ka thirrë kryetari i LDK-së i cili ka paralajmëruar dorëheqjen, Isa Mustafa.

Ndërkohë, ish-deputeti i LDK-së, Ardian Shala ka reaguar duke thënë se është e pakuptimtë dhe e pashpjegueshme që dikush që ka dhënë dorëheqje të thërret mbledhje.

“E pakuptimtë dhe e pashpjegueshme të thërret mbledhje dikush që tashmë e sa kohë është dorëhequr! Mos, na lëndo edhe më tepër”, ka shkruar Shala në Facebook.

Më herët ka pasur edhe thirrje të tjera nga anëtarësia e LDK-së, që Isa Mustafa të mos përfshihet në zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

LDK-ja do të mbajë më 14 mars mbledhjen në të cilën do të bëjë zgjedhjen e kryetarit të ri të saj.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK-ja ka pësuar humbje të madhe të elektoratit, duke marrë zyrtarisht sipas KQZ-së, vetëm 12,64 për qind të votave.