Isa Mustafa kundër masave anti-COVID: Kosova tashmë ka një regjim absolut që mund të bëj çfarë të dojë

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit ish-kryeministri, Isa Mustafa, ka folur për masat e reja anti-COVID të vendosura nga Qeveria e re e Kosovës, në krye me Albin Kurtin e Vetëvendosjes.

Mustafa shprehet kundër masave kufizuese për qytetetarët dhe bizneset, por thotë se Kosova tashmë ka një regjim absolut, që mund të bëj çfarë të dojë.

“Para këtij regjimi, jam shprehur prore kundër masave të cilat ngujojnë qytetarët dhe e dëmtojnë ekonominë shumë fragjile të Kosovës. Masa të tilla shpërfaqin botëkuptimet e atyre që i sjellin Qeverisë, pikëpamjet e tyre represive të ushtrimit të pushtetit.”, ka thënë Mustafa për Periskopin.

Sipas tij, këto masa nuk janë të nevojshme pasi që nuk japin rezultat, por vetëm krijojnë frikë dhe depression tek qytetarët.

“Ato nuk japin rezultate, në të kundërtën, krijojnë frikë dhe depresion te qytetarët. Kjo nuk na nevojitet.”, ka thënë më tej ish-kryetari i LDK-së.