Isa Mustafa: Kosova s’ka politikë të jashtme, po shihemi si palë destruktive

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se rritja ekonomike prej 10 për qind nuk është rezultat i punës së Qeverisë Kurti. Sipas tij, në vitin 2020 ka pasur rënie reale të Bruto Produktit Vendor (BPV) prej rreth 5.3 për qind në krahasim me vitin 2019 për shkak të pandemisë, prandaj krahasimi me vitin 2020 nuk është tregues real i rritjes.

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka pranuar se ka pasur rritje të konsumit privat për shkak të ardhjeve nga diaspora, por sipas tij, rritje të konsumit ka pasur edhe si rezultat i masave të Qeverisë Hoti për shfrytëzimin e një pjese të kursimeve pensionale dhe ndihmave që u janë dhënë bizneseve dhe të papunëve në Kosovë.

I pyetur nga Demokracia.com për politikën e jashtme, Mustafa ka deklaruar se mund të thuhet se Kosova nuk ka politikë të jashtme dhe po e humbim interesimin edhe të partnerëve strategjikë.

“Janë vlerësime edhe të institucioneve ndërkombëtare si dhe të Bankës Qendrore të Kosovës për rritje ekonomike në vitin 2021 prej rreth 10 përqind në krahasim me vitin 2020. Në vitin 2020 kemi pasur rënie reale të Bruto Produktit Vendor prej rreth 5.3 përqind në krahasim me vitin 2019 për shkak të pandemisë. Prandaj krahasimi me vitin 2020 nuk është tregues real i rritjes. Ka pasur rritje të konsumit privat për shkak të ardhjes nga diaspora dhe si rezultat të masave të Qeverisë Hoti për shfrytëzimin për konsum të një pjese të kursimeve pensionale, si dhe të ndihmave që u janë dhënë bizneseve dhe të papunëve që janë bërë pjesë të konsumit në vitin 2021, por edhe ngjallje të investime private dhe publike si rezultat i zvogëlimit të pandemisë. Diferenca relative ndërmjet eksportit dhe importit nuk është përmirësuar. Është rritur inflacioni për mbi 7 përqind si rezultat i rritjes së çmimeve gjatë vitit 2021, gjë që formalisht shprehet edhe në rritjen e BPV, i cili matet me kriter të konsumit”, ka thënë Mustafa për Demokracia.com.

Duke i komentuar deklaratat e Kurtit se gjatë një viti qeverisje janë hapur rreth 25 mijë vende të reja të punës, Mustafa ka thënë se statistikat për punësime nuk janë të qëndrueshme. Sipas vlerësimit të sindikatave, Mustafa ka thënë se ka zvogëlim të punësimit në sektorin formal dhe informal për rreth 50 mijë punëtorë.

“Për punësimin nuk ka statistika të qëndrueshme, duhet të shihet sa është rritur numri i atyre që paguajnë sigurime pensionale në Trust, si dhe statistikat e punësimit. Ka ikje të madhe të të rinjve nga Kosova dhe krahas kësaj ka vlerësime të sindikatave se ka zvogëlim të punësimit në sektorin formal dhe informal për rreth 50 mijë punëtorë. Qeveria nuk mund të krenohet për rritje, sepse ecuritë ekonomike nuk janë rezultat i masave qeveritare”, ka thënë Mustafa.

Ish-kryeministri ka vlerësuar se Kosova aktualisht nuk ka politikë të jashtme dhe vendi nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë ndërkombëtare e nuk ka pranuar asnjë njohje të re.

“Mund të thuhet se Kosova nuk ka politikë të jashtme. Nuk ka asnjë lëvizje pozitive me asnjë vend dhe me asnjë organizatë ndërkombëtare gjatë kësaj qeverisjeje. Në të kundërtën ka diskomunikim dhe mbyllje në vetvete. Kjo na dëmton, sepse po e humbim interesimin e partnerëve strategjikë”, ka deklaruar Mustafa për Demokracia.com.

Lidhur me dialogun me Serbinë, ish-shefi i ekzekutivit e ka parë si problem që tani Kosova po shihet si palë destruktive në sytë e ndërkombëtarëve.

Sipas tij, prolongimi i marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke e dëmton Kosovën më shumë sesa Serbinë.

“Serbia pareshtur ka luajtur një rol destruktiv në këtë proces. Por, problemi është se në syrin e ndërkombëtarëve tani Kosova po vlerësohet si palë destruktive. Në këtë situatë më pak është e rëndësishme se kënd e shohim ne si palë destruktive, por e rëndësishme është sesi e shohin ndërkombëtarët. Nuk do duhej lejuar që politika serbe me gjithë dëmin që ia ka shkaktuar Kosovës të vlerësohet nga ndërkombëtarët. Prolongimi i marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke e dëmton më shumë Kosovën sesa Serbinë”, ka thënë Mustafa. /Demokracia.com/