Kreu i Kishës serbe

Irinej në Pejë akuzon: Qytetet e Kosovës pa serbë, shqiptarët kanë zënë shtëpitë e tyre

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe patriarku Irinej, me kishtarë të tjerë kanë vizituar Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit.

Ai, siç përcjell b92, ka thënë se qytetet në Kosovë kanë mbetur pothuaj pa popullin serb, ndërsa, sipas tij, se serbët që kanë mbetur aty jetojnë në kushte të vështira e të privuar nga liria dhe të gjitha të drejtat njerëzore.

“Prona e tyre është uzurpuar, në shtëpitë e tyre kanë hyrë shqiptarët. Çdo ditë dëgjojmë se e pësojnë shumë prej tyre e kjo bëhet me qëllim që serbët të mos kthehen në Kosovë. Na kanë mbetur manastiret, ato që nuk janë shkatërruar, ato janë shpresa e popullit tonë se dikur do të kthehet në këto hapësira”, ka porositur nga Patrikane Pejës patriarku serb, transmeton Koha.net.

Kreu i Kishës serbe Irinej, ashtu si dhe udhëheqësit politikë më të lartë të Serbisë, nuk përmend në asnjë rast krimet shumëfish të mëdha që populli i tij, me ushtri, polici e kishë, i ka bërë kundër shqiptarëve në Kosovë.