Ipko Superliga: Sot zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javë së 4-të

Luhen këtë të diel dy sfidat e fundit të javës së katërt të IPKO Superligës së Kosovës, Ferizaj-Vushtrria dhe Flamurtari-Dukagjini, me fillim në orën 16:00.

Janë dy takime mjaft interesante, që mund të prodhojnë rezultate befasuese.

Kështu Ferizaj pret Vushtrrinë në derbin e skuadrave bardhekaltër, me synimin për ta shfrytëzuar sa më mirë faktorin fushë. “Ujqit”, pas fitores së madhe në javën e parë në fushën e Dritës, kanë pësuar dy humbje radhazi, kështu duan të kthehen sa më parë te rezultatet pozitive. Ndërkohë Vushtrria, që ka bërë ndryshime në stafin teknik, ka marrë vetëm një pikë pas 3 javëve të para.

Një përballje mjaft interesante është edhe ajo e kryeqytetit, ku Flamurtari do të kërkojë maksimumin e pikëve ndaj ekipit të sapongjitur në elitën e futbollit kosovar, Dukagjini.

Skuadra e Artim Shaqirit në këtë takim vjen pas fitores minimale 1-0 ndaj Ferizajt, ndërsa klinasit kërkojnë këndelljen pas humbjes 0-4 nga Drita.

loading…