Iowa, Delegacioni i MPJ-së u prit nga Zëvendës Guvernatori dhe Sekretari i Shtetit

Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, i përbërë nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm, z.Astrit Zemaj dhe Zyrtari për Politika të Sigurisë, z.Bujar Maxhuni, si dhe z.Artan Duraku, Konsull i Pirgjithshëm në Iowa, u priten të hënën në takime të ndara nga autoritetet më të larta të këtij shteti, Zëvendës Guvernator i Iowa-s, z.Adam Gregg, dhe Sekretari i Shtetit të Iowa-s, z.Paul D. Pate.

Në këto takime, të organizuara me ftesë të autoriteteve të Shtetit të Iowa-s, u diskutuan tema të shumta me interes të ndërsjellë bilateral në ekonomi, arsim, kulturë, shkencë dhe teknologji. Gjatë bisedës për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Iowa-s, i themeluar më 2011, dhe tashmë i konsoliduar në sfera të shumta, zv.Guvernatori Gregg premtoi angazhime shtesë për jetësimin e projekteve të ndryshme, të iniciuara nga procesi i partneritetit të përbashkët midis dy shteteve simotra.

Në këtë takim është biseduar edhe për proceset e binjakëzimit të institucioneve dhe komunave të Kosovës, si dhe për detajet e përgatitjes së vizitës së Guvernatores së Iowa-s, znj. Kim Reynolds në Kosovë, e cila planifikohet të realizohet në muajin qershor.

Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, gjatë kësaj vizite në Des Moines, do të ketë edhe takime të tjera me drejtues të institucioneve të ndryshme të Iowa-s, me synim të thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe me interes për qytetarët e të dyja vendeve.