Dubovc

Investimi 5 milionësh nga kompania polake pritet ta ringjallë minierën e magnezit në Vushtrri

Një prej minierave më të vjetra të Kosovës, miniera e Dubovcit në Vushtrri, do të funksionalizohet përsëri.

Këtë do ta mundësojë kompania BISEK nga Polonia, me një investim prej 5 milionë eurosh në 7 vjetët e parë të operimit me të, raporton KTV.

Sipas kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ky investim do të mundësojë krijimin e mbi 100 vendeve të punës.

Ai ka shtuar së në këtë pjesë të Vushtrrisë, nuk ka asnjë lloj aktiviteti ekonomik, prandaj ky investim do të jetë i mirëseardhur.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar shpronësimin e pronave të banorëve në këtë zonë, ndërsa ata shprehen të kënaqur me këtë projekt.

Fshatrat Dubovc e Galicë njihen për pasuri minerale. Me rifunksionalizimin e kësaj miniere, do të rifillojë prodhimi i magnezit.

Miniera e Dubovcit ka qenë funksionale deri në vitin 1964. E drejtuar nga anglezët, kjo minierë ka qenë e njohur për prodhimtari shumë të lartë të xehes së magnezit.