Invalidi i UÇK-së nga Beteja e Koshares: Edhe po të vdes nuk dua as test dhe asgjë në jetë nga Serbia!

Invalidi dhe veterani i luftës së UÇK-së, Shpëtim Agusholli i cili që 21 vjet është në karrocë, ka reaguar ashpër pasi Qeveria në largim e Albin Kurtit dje i pranoi si donacion 1000 teste per koronavirus nga Serbia.

Reagimi i Agushollit është në vazhdën e shumë reagimeve për këtë gjest skandaloz të Qeverisë në largim, shkruan Ballkani.info.

“Serbia na vrau na masakroi na dhunoi e gjithat te zezat, mos pranoni asgjë nga ata qe ushtruan gjenocid mbi popullin tonë, qoftë edhe ndihma (dhurata ). Para 21 vite në luftë me Serbi mora plagë të cilat i ndjej edhe sot, edhe po të vdes nuk dua as test as kurgja në jetë nga Serbia”, ka shkruar Agusholli.

E mbrëmë kryeministri në largim, Albin Kurti këtë donacion të Serbisë e quajti gjest të vullnetit të mirë. Kjo deklaratë e Kurtit u cilësua si skandaloze, pasi që Serbia vazhdon ta luftojë Kosovën në çdo aspekt. Po ashtu Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. /Ballkani.info/