Intervista e shkurtër e sensacionit 19 vjeçar po bën xhiron e botës (Video)

Është vetëm 19 vjeç, por mbrëmjen e të martës debutoi në Champions League, duke shënuar 3 gola brenda pjesës së parë të ndeshjes mes Red Bull Salzburg dhe RKC Genk, e cila u fitua nga austriakët me rezultatin e thellë 6-2.

Bëhet fjalë për sulmuesin norvegjez Erling Braut Haaland, i cili iu bashkua Salzburgut në janar të këtij viti dhe në 14 ndeshje me gjigantët austriakë, ka arritur të shënojë plot 18 gola, 3 prej të cilëve në Champions dhe 12 në kampionat.

Sulmuesi 19-vjeçar u bë futbollisti më i ri që shënon 3 gola brenda një pjese loje në Champions, në ndeshjen e parë të skuadrës së tij, ndërsa më pas u bë protagonist edhe në intervistën e dhënë për mediat në përfundim të takimit.

Në korridoret e stadiumit, gazetari i platformës norvegjeze Viasport, të transmetimit të ndeshjeve të Champions Leagues, thirri sulmuesin për një intervistë, por u vu në pozitë shumë të vështirë nga përgjigjet e tij tejet të shkurtra dhe të ftohta.

“Ndihem shumë mirë”, “Punoj fort” dhe “Shpresoj”, ishin përgjigjet e Haaland ndaj gazetarit norvegjez, i cili u vu në pozitë të vështirë, pasi i shteroi pyetjet brenda pak sekondash. Më pas 19-vjeçari komunikoi në distancë me një nga përfaqësuesit e klubit dhe filloi ta marrë më seriozisht intervistën, por videoja u bë shpejt virale.

Erling Haaland është djali i mbrojtësit norvegjez Alf-Inge Haalang, i cili numëron 34 ndeshje me kombëtaren nordike dhe në karrierën e tij ka veshur fanellën e skuadrave si Nittingham Forest, Leeds United dhe Manchester City.

Djaloshi 19-vjeçar cilësohet si një nga emrat më premtues të futbollit botëror, teksa golat në Ligën e Kampionëve po shuajnë edhe zërat që flisnin për një sulmues që shënon vetëm në Bundesligën austriake.

loading…