Kohë rinovimesh në shtëpinë e Interit. Tre futbollistë janë gati të nënshkruajnë kontratat e reja me klubin zikaltër pasi kanë arritur marrëveshjet për rinovimet e kontratave.

Bëhet fjalë për portierin Samir Handanovic, mbrojtësin Danilo D’Ambrosio dhe sulmuesin Lautaro Martinez.

Handanovic pritet ta zgjatë deri në vitin 2022 kontratën që i skadon në vitin 2021, me të njëjtën pagë prej 3,2 milionë eurosh në sezon.

Do të rinovojë deri në vitin 2022 edhe D’Ambrosio i cili ashtu si Handanovic ka kontratë deri në 2021. Mbrojtësi i kombëtares italiane do të përfitojë edhe një rritje të lehtë page.

Ndërkohë Lautaro Martinez i cili është edhe titullari që paguhet më pak në kampin zikaltër me vetëm 1,5 milionë euro në sezon, do të rinovojë edhe një tjetër vit kontratën aktuale duke e zgjatur atë deri në vitin 2024 ndërkohë që paga e tij përfshirë edhe bonuset do të kapë shifrën e 3 milionë eurove në sezon, një shifër e konsiderueshme kjo për një 22-vjeçar por tek i cili drejtuesit zikaltër besojnë shumë.

loading…