Interesimi i Juventusit për shërbimet e mbrojtësit të Manchester Unitedit, Matteo Darmian është frenuar, teksa në garë për italianin është futur edhe Interi, që përmes drejtorit sportiv, Beppe Marotta do t’i ofrojë futbollisti pagë 3.5 milionë euro në sezon.

Darmian i ka pëqyer edhe në të kaluarën Marottas, derisa ish drejtori sportiv i Juventusit tentoi ta transferojë 29 vjeçarin te “Zonja e Vjetër” para se në Torino të mbërrinte Joao Cancelo.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Interi mund të përfitojë nga përgjigja negative e Leonardo Spinazzolas për t’u transferuar te Bologna, me Juventusin që duhet ta mbajë ish lojtarin e Atalantas në skuadër, dhe në këtë mënyrë thjeshtësohet kalimi i Darmian te “Nerazzurrët”.

Një tjetër aspekt që e afron Darmianin me Interin është edhe oferta e këtyre të fundit që i sigurojnë pagë vjetore prej 3.5 milionë eurove, 500 mijë më shumë se Juventusi.

Ndërsa marrëveshja me Manchester Unitedin pritet të arrihet në bazën e huazimit që kap shifrën e 4 milionë eurove, kurse drejta e blerjes mund të aktivizohet nëse ofrohen edhe 8 milionë euro të tjera.

Ardhja e Darmian mund të jetë një lamtumirë për Sime Vrslajkon që është në huazim te Interi nga Atletico Madridi, por mbrojtësi kroat ka dështuar të tregojë formë të mirë duke mbetur në shumicën e rasteve jashtë skuadrës për shkak të lëndimeve.