Situatë aspak e këndshme në shtëpinë e Interit. Jashtë garës për titullin kampion, jashtë Champions Leagues që në fazën e grupeve dhe së fundmi eliminimi nga Kupa e Italisë përpara se të luajë derbin kundër Milanit.
Tashmë i vetmi synim që u ka mbetur zikaltërve është një nga 4 vendet e para dhe, nëse nuk fiton Europa Leaguen të paktën të arrijnë të avancojnë deri në një farë pike te ky kompeticion.
Në kampin zikaltër janë të shumta problemet që duhen zgjidhur, duke nisur që nga kontrata e Mauro Icardit. Akordi mes palëve për të rinovuar kontratën duket se është gjetur, por rendimenti jo i lartë i argjentinasit ka irrituar jo pak tifozët e Interit.
Më pas janë edhe rebelët e skuadrës: Ivan Perisic dhe Naingolan, të cilët duket se e kanë vendosur për t’u larguar dhe që për momentin janë pjesë e klubit kundër dëshirës së tyre.
Lautaro Martinez, nga ana tjetër, kërkon më shumë minuta, një tjetër problem ky për ekipin e Luciano Spallettit.
Për të qëndruar tek trajneri, eliminimi nga Kupa e Italisë ka ngritur pikëpyetje të mëdha rreth së ardhmes së tij. Madje, mediat italiane raportojnë se Spalletti pas eliminimit në ndeshjen kundër Lazios, ai ka patur një takim me drejtuesit e klubit.
Asnjë ultimatum, por sigurisht që është folur gjatë për problematikat e skuadrës dhe nëse situata nuk njeh përmirësim, atëherë sërish në skenë shfaqet emri i Antonio Contes si pasues i Spallettit në krye të stolit zikaltër.







