Interi parakalon Romën, bën ofertë zyrtare për Scamacca

Interi është gati të sfidojë Romën për sulmuesin e West Ham United dhe Italisë, Gianluca Scamacca, duke bërë një ofertë për ta blerë atë plotësisht për rreth 22 milionë euro.

Giallorossët kishin menduar vetëm pak ditë më parë se ishin në prag të arritjes së një marrëveshjeje për ta marrë Scamaccan në huazim me opsion blerje, pasi londinezët i kishin rezistuar më parë kësaj formule transferimi.

Megjithatë, gazeta Il Tempo në Romë pretendon se Nerazzurrët tani mund t’i parakalojnë ata me një propozim zyrtar për të blerë Scamaccan.

Sipas mediumit Sky Sport Italia, Interi ka bërë një ofertë hapëse në shifrat 20-22 milionë euro për italianin.

I lidhur më parë edhe me skuadrën e Milanit, Scamacca është i etur për një rikthim në Serie A pasi luftoi për të shkëlqyer në sezonin e tij debutues në Ligën Premier.

24-vjeçari u transferua nga Sassuolo te West Hami vetëm një vit më parë për 36 milionë euro plus 6 milionë euro të tjera bonuse dhe 10 për qind të tarifës së shitjes së ardhshme.

Scamacca ka 11 ndeshje për Kombëtaren e Italisë dhe është nga Roma, ndërsa ka luajtur për Giallorossët dhe Lazio në ekipet e moshave.