Është Romelu Lukaku objektivi i madh i Antonio Contes për sulmin e Interit.
Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar si timonieri i ri i skuadrës zikaltër, marrëveshja tashmë është arritur dhe Conte po projekton ekipin e sezonit të ardhshëm.
Ish trajneri i Chelseat është i fiksuar pas sulmuesit belg madje Conte e donte me çdo kusht Lukakun edhe te “Blutë e Londrës”, por në atë periudhë ai zgjodhi transferimin te Manchester United. Sezoni i fundit nuk ka qenë shumë pozitiv për sulmuesin 26-vjeçar me “Djatë e Kuq” dhe largimi është zgjedhja më e mirë që Lukaku mund të bëjë për karrierën e tij.
Vlera e tij në merkato ka rënë në rreth 50-60 milionë euro dhe Interi ka gati ofertën që mund të bindë “Djajtë e Kuq”. 30 milionë euro plus kartonin sulmuesit kroat Ivan Perisic i cili gjithashtu vlerësohet 30 milionë euro nga klubi zikaltër, ndërkohë që Manchester United kur kishte Jose Mourinhon në stol e ka kërkuar për dy vite rresht.
Tashmë kushtet janë pjekur dhe mundësitë e këtij operacioni merkatoje janë më reale se kurrë. Por nëse afron Lukakun, Interi nuk do të heqë dorë nga Edin Dzeko pasi duke parë skemën 3-5-2 që aplikon më së shumti trajneri Antonio Conte, ai ka nevojë të ketë në skuadër minimalisht 4 qëndërsulmues.







