Interi ka publikuar një buletin të gjendjes së dëmtimeve të Joao Mirandas dhe Marcelo Brozovic, të dy të dëmtuar në ndeshjen ndaj Spal, të dielën e kaluar.
Miranda pësoi një frakturë në hundë nga goditja e Petagna në fillim të ndeshjes dhe luajti deri në përfundim të pjesës së parë edhe pse nuk i ndaloi hemorragjia. Mbrojtësi brazilian i është nënshtruar një operacioni në hundë paraditen e sotme, i cili ka përfunduar me sukses.
Brozovic pati një dhimbje muskulore në kofshë në minutën e 42’-të të ndeshjes dhe sot janë kryer ekzaminimet mjekësore me skaner, që kanë treguar se kroati nuk ka asnjë dëmtim.
Klubi njoftoi se gjendja e tyre do të monitorohet ditë pas dite dhe Spalletti shpreson që t’i ketë në dispozicion për ndeshjen e së enjtes ndaj Frankfurt ose për derbin ndaj Milanit të dielën.







