Në fund të vitit të kaluar fitoi Kupën e Libertadores me River Plate, duke zhvilluar paraqitje si protagonist, ndërsa nga të gjithë cilësohet si e tashmja dhe e ardhmja e mesfushës argjentinase.

Bëhet fjalë për talentin 20-vjeçar Exequiel Palacios, i cili ishte shumë pranë firmës me Real Madridin, por që tashmë negociatat kanë ngecur, pasi madrilenët kanë blerë mbrojtësin Eder Militao dhe nuk kanë më vende ekstrakomunitari.

Pikërisht për këtë arsye, në garë është futur fuqishëm Interi, që ia ka besuar këtë mision legjendës së futbollit zikaltër, por edhe atij argjentinas, Javier Zanettit, i cili mban edhe postin e zëvendës presidentit të klubit.

I takon pikërisht ish kapitenit zikaltër, që të bindë Palacios, por edhe drejtuesit e Riverit, që futbollisti të transferohet në Milano, ndërsa presidenti Zhang dhe Administratori Marotta, kanë dhënë miratimin për të paguar një shifër prej 20 milionë eurosh për kartonin e tij.

Vetë Palacios në një intervistë për mediat argjentinase ka pranuar se si Reali, ashtu edhe Interi, po ngulmojnë për të pasur shërbimet e tij, por ka theksuar se me negociatat merret menaxheri i tij, pasi vetë 20-vjeçari është i përqendruar te Riveri.

“Ndihem vërtetë i lumtur që klube të mëdha po shprehin interes për mua. Di që Real Madridi dhe Interi janë ato që kanë ngulmuar më shumë, por me të tjerat merren menaxherët e mi. Unë jam maksimalisht i përqendruar për të bërë mirë me River Platen”, deklaroi mesfushori.