E ardhmja e Mauro Icardit duket se do të jetë larg Interit. Drejtuesit zikaltër kanë vendosur t’ia heqin shiritin e kapitenit dhe t’ia japin atë Samir Handanovic.
Argjentinasi është kundërpërgjigjur duke refuzuar të bashkohet me ekipin për ndeshjen e Europa League që milanezët do të luajnë mbrëmjen e sotme në fushën e Rapid Vjenës.
Kështu, drejtuesit zikaltër janë vënë në kërkim të pasardhësit të Mauro Icardit dhe, sipas shtypit italian, ata janë përqendruar te tre emra: Paulo Dybala, Duvan Zapata dhe Edinson Cavani.
Pavarësisht së kaluarës së Marottas me bardhezinjtë, duket e vështirë që kampionët e Italisë të vendosin të përforcojnë një rival direkt. I vështirë paraqitet edhe operacioni për të siguruar sulmuesin uruguaian, i cili fiton 10 milionë euro në sezon te PSG.
Më e lehtë duket rruga që çon te sulmuesi i Atalantas, Zapata, me klubin zikaltër që ka nisur kontaktet me menaxherin e lojtarit. Gjithsesi, bergamaskët nuk do të bëjnë asnjë ulje për 27-vjeçarin, i cili po shkëlqen në këtë sezon të Serie A.
Ai është golashënuesi i tretë më i mirë i kampionatit me 16 gola.







