Interi insiston për Kumbullën

Interi raportohet se është favorit në garën për transferimit e mbrojtësit shqiptar të Hellas Veronës, Marash Kumbullan. Kjo pasi që Napoli është duke u përqendruar te Sofyan Amrabat dhe e ka lënë shqiptarin si opsion të dytë.

Fillimisht mediumet italiane kishin raportuar se Napoli ishte shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për transferimin e Kumbullës. Megjithatë, gazetari italian Gianluca Di Marzio insiston se situata nuk është e tillë në negociatat mes dy klubeve.

Tani edhe Sky Sport Italia raporton se Interi është klubi favorit për ta siguruar nënshkrimin e Kumbullës, pasi që tashmë e ka negociuar një marrëveshje për transferimin e tij në fund të këtij sezoni.

Nëse marrëveshja për shqiptarin arrihet edhe zyrtarisht, mbrojtësi i krahut të majtë i Interit, Federico Dimarco, pritet t’i bashkohet Hellas Veronës këtë muaj.

Dimarco nuk është pjesë e planeve të trajnerit Antonio Conte në San Siro, veçanërisht pasi që ai ka luajtur vetëm 19 minuta në Serie A deri më tani gjatë këtij sezoni.

Në anën tjetër, Kumbulla i ka bërë 12 paraqitje për Veronën këtë sezon, ndërsa në katër ndeshje ka munguar shkaku i një lëndimi muskulor në këmbë.