Nga Modric, tek Rakitic, këto ishin temat më të nxehta për merkaton e Interit, që përflitet se do kërkojë me doemos të firmosë me një mesfushor klasi në merkaton e verës.

Pista Modric ka rënë prej kohësh, ndërsa Rakitic ka shpallur hapur dëshirën për të vijuar tek Barcelona, gjë që e mbështet edhe trajneri Valverde, pavarësisht se kanë firmosur me De Jong.

Për këtë, Interi është hedhur në sulm për të marrë shërbimet e Ilkay Gundogan. Mesfushori turko-gjerman është një alternativë për të sjellë më shumë klas krah Brozovic e Nainggolan.

Me modulin 4-2-3-1, Brozovic ka nevojë për një lojtar që di si ta përdorë topin njëjtë si ai. Në këtë drejtim Gundogan do të ishte perfekt, i cili është një mjeshtër në mbajtjen dhe qarkullimin e topit, duke marrë parasysh që vjen nga një shkollë si ajo e Pep Guardiola.

Kontrata e tij skadon në vitin 2020 dhe largimi nga Manchester City nuk është problem, mirëpo paga e tij prej 9 milionë euro në sezon mbetet një çështje që duhet zgjidhur.

Zgjidhjet – Nëse operacioni i Marotta dhe Ausilio për 28-vjeçarin nuk arrihet të finalizohet, atëherë dy zgjidhje më të lira vijnë nga Serie A.

I pari është Lorenzo Pellegrini i Romës, i cili është i përshtatur për skemën 4-3-3, por që përshtatet edhe për të luajtur para mbrojtjes. Nëse nuk rinovon me Romën, atëherë ai është një pistë konkrete, ka klauzolë largimi 30 milionë euro që mund të paguhet me dy këste nga 15 milionë për dy vite.

I dyti është Dennis Praet i Sampdorias. Interi njihet për goditje e sakta që ka bërë në këtë skuadër. Gjithmonë iu ka ecur mbarë me blerjen nga ky klub dhe 24-vjeçari belg ka treguar vlera të larta këtë sezon duke luajtur si trekuartist apo edhe si qendër mesfushor. Nuk ka një karrierë të pasur me eksperiencë në klube të mëdha, por ka perspektivë. Vlera e tij është 25 milionë euro aktualisht, teksa në vitin 2016 u ble për 9 milionë euro.