Mediat italiane raportojnë se drejtuesit e Interit i kanë thënë trajnerit Luciano Spallettit se ai duhet ta fitojë një trofe këtë sezon ose përndryshe do të shkarkohet nga pozita e trajnerit të klubit zikaltër.

Spalletti u takua me drejtuesit e Interit për darkë të hënën dhe e përditshmja italiane, Gazzeta dello Sport, pretendon se në këtë takim u fol për më shumë sesa vetëm transferimet gjatë afatit kalimtar të janarit.

Gazeta italiane shkruan se presidenti i klubit, Steven Zhang, ia bëri të qartë Spallettit se ai duhet ta fitojë një trofe këtë sezon, veçanërisht titullin e Coppa Italia, ose përndryshe mund ta humbasë pozitën e trajnerit.

Ky nuk ishte kushti i vetëm që drejtuesit e klubit zikaltër ia vendosën Spallettit, pasi që ata ia bënë të ditur se fitorja në ndeshjen kundër Lazios, e cila do të zhvillohet të enjten në kuadër të Coppa Italias, është e domosdoshme.

Nëse Spalletti nuk arrin t’i plotësojë këto kritere, atëherë në vend të tij ka më së shumti gjasa që të emërohet ish-trajneri i Juventusit dhe Chelseat, Antonio Conte, ndërsa edhe Jose Mourinho mund ta bëjë kthimin e tij në San Siro.

Spalleti e zgjati kontratën e tij deri në vitin 2021 në fillim të këtij sezoni, mirëpo kjo kontratë e re nuk ia garanton ish trajnerit të Romës karrigen e trajnerit edhe për sezonin e ardhshëm.