Interi e “shkel” Beneventon, i afrohet Milanit në vetëm 2 pikë
Interi bën detyrën ndaj Beneventos, pasi e mposhti me rezultatin e pastër 4-0, në një ndeshje që nuk rezultoi të ishte shumë e vështirë për zikaltrit, të cilët tashmë shkojnë në kuotën e 44 pikëve, dy më pak se Milani kryesues.
Pas golit me shumë peshë në çerekfinalet e Kupës së Italisë ndaj Milanit, Antonio Conte kishte shpërblyer me një fanellë titullari danezin Christian Eriksen, i cili edhe sfidën e sotme e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në minutën e 7’ fantazisti danez ekzekutoi mjaft mirë një goditje dënimi, që pasi gjeti një devijim të lehtë të Improttës, përfundoi në trekëndëshin e portës së portierit Montipo, duke bërë që zikaltrit të kalonin në avantazh.
Edhe pjesa e dytë nisi mjaft vrullshëm për zikaltrit, që në minutën e 57’ gjetën edhe goline sigurisë, teksa pas një kombinimi disi të rrëmujshëm në hyrje të zonës, Lautaro Martinez gjuajti saktë me të majtën dhe mposhti portierin Montipo.
Ky gol lehtësoi ndjeshëm punën për Interin, pasi Benevento humbi besimin se mund të bënte diçka në “San Siro”, ndërsa më pas ishte radha e Lukakut që të shënonte edhe dy herë të tjera, fillimisht i asistuar nga Lautaro pas një gabimi të Montipo dhe më pas i shërbyer nga Sanchez.
Vërshëllima finale e arbitrit Pasqua la në fuqi fitoren 4-0 të zikaltërve, që ruajnë vendin e dytë, me vetëm dy pikë larg Milanit kryesues dhe shkojnë me moral të lartë në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit, e planifikuar për të martën në mbrëmje