Interi raportohet se e ka kaluar vëmendjen nga sulmuesi i shtrenjtë i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku, te sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Edinson Cavani.

Manchester Unitedi ia ka kërkuar Interit mbi 80 milionë euro për ta transferuar Romelu Lukaku, mirëpo zikaltrit nuk janë të gatshëm të shpenzojnë një shumë të tillë.

Duke e pasur këtë parasysh, dy media të mëdha italiane – Tuttosport dhe Corriere dello Sport – raportojnë se drejtuesit italianë kanë vendosur të tentojnë ta transferojnë Cavanin.

Ish-sulmuesi i Napolit shihet si një opsion më i mirë për pozitën e qendërsulmuesit në skuadrën e Interit, për shkak se ai është 32-vjeçar dhe e ka vetëm një vit të mbetur në kontratën me Paris Saint-Germainin.

Zikaltrit mund edhe t’i ofrojnë atij pagë prej nëntë milionë eurove në vit, që është më pak se ajo që uruguaiani e merr për momentin në PSG, 12 milionë euro.

Uruguaiani i shënoi 193 gola në 279 ndeshje për “Les Rouge-et-Bleu” gjatë kohës së tij në Parc des Princes, duke i shtuar edhe pesë tituj të Ligue 1 në mesin e sukseseve të tij.

Ai i shënoi mbi 100 gola për Napolin gjatë viteve 2010-2013, para se të transferohej për 64 milionë euro në Paris Saint-Germain.