Pas një vere të trazuar, e ardhmja e Ivan Perisic është kthyer përsëri temë për diskutim. Kjo, për shkak se ka pasur një pjesë të keqe të parë të sezonit. Interi po mendon ta nxjerrë në merkato kroatin, i cili vazhdon të pëlqehet nga Manchester United dhe Atletico Madrid.

Sipas “Corriere della Sera”, klubi zikaltër do të ishte gati ta privonte veten nga Perisic, që tani, në merkaton e dimrit. Çmimi tashmë i është vendosur, 40 milionë euro, çka lejon një fitim të konsiderueshëm kapital, pas blerjes për 18 milionë euro në vitin 2015.

Manchester United u interesua për nënkampionin e botës që verën e kaluar, më konkretisht pëlqehej shumë nga Jose Mourinho, por gjithçka u bllokua nga trajneri Spalletti. Megjithatë, aventura e tij me zikaltrit duket të jetë në fund, gjë për të cilën janë dëshmi edhe paraqitjet në fushën e blertë.

Me “Djajtë e Kuq” ka negociata edhe për Matteo Darmian, ndërsa pista Martial tashmë duket më e zbehtë, pas ardhjes së Solskjaer në stol. Ky i fundit mund ta rinovojë kontratën si trajner i përkohshëm në qershor dhe do ta udhëheqë vetë pastaj merkaton.

Edhe Atletico Madrid i ka sytë mbi Perisic, të cilin klubi zikaltër po mundohet ta zëvendësojë që në merkaton e janarit. Inter vazhdon të ëndërrojë Federico Chiesa, për të cilin Fiorentina nuk do të kërkojë më pak se 70 milionë euro.