Lajmi për vibrimin e unazës së tretë të stadiumit “San Siro” në Milano, përgjatë ndeshjes mes Interit dhe Atalantës më 7 prill, bëri xhiron e botës, duke hedhur pikëpyetje mbi sigurinë e spektatorëve.

Megjithatë të dy klubet kanë dalë me një komunikatë ditën e sotme, ku kanë shpjeguar me detaje gjithça sa ishte konstatuar dhe kanë garantuar se impianti nuk është aspak në rrezik shembjeje.

“Më 7 prill u regjistrua një tronditje mbi normat e pranuara, në unazën e tretë të stadiumit “San Siro” dhe për këtë kontaktuam menjëherë një grup inxhinierësh, të kryesuar nga Gian Michele Calvi, për të analizuar rastin. Pasi u ndoqën të gjitha procedurat e nevojshme, u arrit në konkluzionin se rasti nuk është shqetësues dhe nuk ul aspak koeficientin e sigurisë së impiantit. Për më tepër, grupi i inxhinierëve nuk kanë parë të arsyeshme asnjë ndërhyrje shtesë në impiant, për të rregulluar situatën, pasi sipas tyre, nuk ka asnjë rrezik në rritje”, thuhej në komunikatën e dy klubeve.

Unaza e tretë e “San Siro”-s nuk hapet gjithmonë, por vetëm në rastet kur numri i tifozëve i kalon 60 mijë, ndërsa do të hapen këtë fundjavë për derbin e Italisë mes Interit dhe Juventusit, sfidë që pritet të tejmbushë stadiumin.