Deri në 2023

Interi arrin marrëveshje me Skriniarin për rinovimin e kontratës

Të gjithë flasin për rinovimin e Icardit, por duket se drejtuesit e Interit ia kanë dalë të zgjasin bashkëpunimin me një tjetër element të rëndësishëm të formacionit zikaltër.

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin sllovak, Milan Skriniar, i cili prej dy sezonesh po bën paraqitje spektakolare me skuadrën zikaltër, teksa ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane, përfshi këtu Barcelonën e Manchester Unitedin.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e Interit kanë menduar të rinovojnë kontratën me Skriniar, që më tepër sesa për kohëzgjatjen, ka pasur për synim të përmirësojë përfitimet ekonomike të mbrojtësit sllovak.

Kjo pasi me kontratën e re, Skriniar dhe Interi do të jenë të lidhur deri në verën e vitit 2023, nga 2022 që është aktualja, ndërsa mbrojtësi do të përfitojë rreth 3 milionë euro plus bonuset, nga 1.7 që përfiton aktualisht.

Gjithashtu zikaltërit kanë arritur të bindin mbrojtësin dhe menaxherin e tij, që të mos ketë asnjë klauzolë për prishjen e kontratës, duke bërë që çmimin për një shitje të mundshme të Skriniarit, ta vendosin vetë drejtuesit e klubit zikaltër.

Siç raportojnë mediat pranë klubit zikaltër, gjithçka është negociuar dhe vendosur tashmë, teksa gjatë javës së ardhshme pritet që të firmoset edhe kontrata e re, për t’u njoftuar më pas edhe zyrtarisht.